Mbrëmje spanjolle në Champions, Reali mund Bajernin në Mynih!

Reali dhe Atletiko dolën me kokën lart nga fusha në ndeshjet e para çerekfinale në Champions. Dy skuadrat e kryeqytetit të Spanjës arritën fitore të rëndësishme, sidomos ajo e Zinedin Zidanit. Pasi u gjend në dizavantazh ndaj Bajernit me golin e Arturo Vidalit, ekipi “merenges” thuajse shkoi në 0-2. Penallti për bavarezët në fund të pjesës së parë, por Arturo Vidal gaboi në gjuajtje.

Me të nisur pjesa e dytë, Kristiano Ronaldo barazoi rezultatin, ndërsa në 60’, Havi Martinez u përjashtua nga fusha duke e lënë Bajernin me 10 lojtarë. Nga kjo përfitoi Reali që shënoi në minutën e 77-të, ndërsa Nojer e kishte shpëtuar skuadrën vendase disa herë. “Luzitani” u bë i pari lojtar në kupat e Europës që arriti në 100 gola të shënuar.

Atletiko triumfoi 1-0 në fushën e vet ndaj Leisterit, falë një penalltie të dyshimtë. Antuan Grizman u rrëzua në zonë (faulli nisi jashtë saj) dhe ishte po sulmuesi francez që shënoi. Kampionia e Anglisë ka shpresë për përmbysje në ndeshjen e dytë në ishull.

Sfidanti.al