Mbape e ka zgjedhur, Paris SG e merr për 180 milionë euro!

“Ku ka za, s’asht pa gja”. Le ta themi në dialekt, apo edhe në shqipe standarde, përfundimi është i njëjtë: Kilian Mbape e ka gjetur tashmë skuadrën e tij të re. Pasi ia bëri të qartë Monakos (sipas mediave) se sezoni i ri nuk do ta gjente aty, adoleshenti francez hodhi hapin e dytë të së ardhmes, “preu biletën” për në kryeqytet, ku e pret Paris SG.

Gazeta “Marka”, tepër e informuar për raste të tilla, aq më shumë që për Mbapenë interesohej “Reali i saj”, pohon pa mëdyshje: Mbape do të luajë në PSG, siç e thotë edhe titulli i stampuar në foton e këtij shkrimi. Operacioni pritet të jetë rreth 180 milionë euro, pra klubi i sheikut Al Helaifi, po përmbyll dy transferime të jashtëzakonshme me shifrën 402 milionë euro.

Nuk ka dyshim se tifozët në Principatën e Montekarlos nuk do ta presin aspak mirë vendimin e 18-vjeçarit, por këto janë “pilula” të hidhura që çdo tifozeri në botë do t’i pijë për fajin e vetëm se tifozët janë antiglobalistët më të vendosur, në këtë klimë globalizmi që mbretëron sidomos në futboll. Po ashtu, në të ardhmen, do të ketë më shumë arsye për të mos besuar deklaratat e klubeve, pasi PSG deri dje bënte be e rrufe se nuk kishte ndërmend të bënte ofertë për Mbapenë.

Sfidanti.al