Mavraj është një “kompjuter”, në barazimin ndaj Verderit!

Mërgim Mavraj pati 95 për qind të pasimeve të sakta në përballjen e Bundesligës, mes Verderit e Këlnit, duke u treguar një “kompjuter” i vërtetë në mbrojtjen e skuadrës mike. Ekipi i “dhive” mori një barazim të rëndësishëm 1-1 në “Vesershtadion” të Bremenit, duke mbetur në garë për një vend në kupat e Europës sezonin e ardhshëm. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ishte përsëri titullar, ndërsa luajti saktë duke i lejuar vetes vetëm një karton të verdhë në minutat shtesë. Ai vrapoi gati 9 km (distancë jo e vogël për një mbrojtës qendre) duke pasur 41 herë kontakt me topin. Këlni ka 24 pikë, vetëm 2 pikë larg zonës së Ligës së Europës, dhe 3 pikë larg zonës Champions.
Lojtari tjetër shqiptar në Bundesligë, Amir Abrashim, luajti vetëm 11 minuta (plus shtesën) për Frajburgun. Ekipi i tij mori një pikë në fushën e Shalkes, me barazimin 1-1, veçse pati shumë fat. Skuadra vendase, e nxitur nga mbi 60 000 tifozëe ushtroi presion dhe pati raste, ndërsa për “blutë mbretërorë” luajti edhe Donis Avdijaj, që u aktivizua në minutën e 68-të. Me këtë rezultat, Frajburgu mbeti mbi Shalken në renditje, në vendin e 9-të me 20 pikë, ndaj 18 të ekipit të Gelsenkirshenit.