Maradona lartëson Mesin, por edhe ngacmon: Nuk bën atë që bëja unë!

Fizikisht nuk mund të krahasohen dhe kjo është diçka e madhe në futboll. Diego Armando Maradona ishte një “bishë” e vërtetë në fushën e lojës, nga ata që nuk pyeste për shkelmat, diçka shumë e rëndësishme në vitet kur ai luajti, kur arbitrat nuk të mbronin aq shumë. Shtoji kësaj edhe karakterin eksploziv prej djali të rrugës, dhe kupton se “Pibe de Oro” ishte një kategori krejt e veçantë në futboll.

Ai vetë nuk ka dëshirë që të bëhet krahasimi me Lionel Mesin, dhe vlerëson se nuk ia vlen të diskutohet kur mes dy lojtarëve ka më shumë se 20 vjet diferencë. “Kush mund të jetë aq kompetent sa të na krahasojë ne të dy? – ishin fjalët e Maradonës pas barazimit 1-1 të Barcelonës në Napoli, – nuk është e drejtë të vendoset Leo nën kaq shumë presion”.

Më pas ai shton se “do të kisha pasur dëshirë që të kisha qenë përballë tij, në një ndeshje Napoli-Barcelona”. “Mesi erdhi në “San Paolo” jo në kohën e tij më të mirë, mund të themi se vjen ndërsa është në rënie, – vazhdoi Diego, – ai nuk e ka jetuar atë që jetova unë. Kjo është gjëja më shumë që unë kam në krahasim me të, por padyshim edhe ky Mesi mund të kishte luajtur fare mirë tek Napoli. Nuk do të bënte dot atë që bëra unë, por gjithsesi, ne napolitanët do të thoshim se e patëm një Mesi”.

Sfidanti.al