Manaj humbet shansin e aktivizimit, trajneri Odo e kthen në Milano

Duket se ka përfunduar aventura e Rei Manajt me Peskarën, klub të të cilën u transferua me qëllimin për të pasur sa më shumë minuta në Serinë A. Pas analizës me stafin teknik edhe drejtuesit e klubit janë bindur, për të mbyllur bashkëpunimin me futbollistin 19-vjeçar, i cili do të kthehet te Interi, skuadra që zotëron kartonin e tij.

Gjithsesi, qëndrimi te zikaltërit në këtë edicion nuk pritet të zgjasë për një kohë të gjatë, sepse te Interi po punojnë që t’i gjejnë një tjetër skuadër talentit kuqezi, për të vazhduar karrierën në gjysmën e mbetur të sezonit. Manaj, së fundi është thirrur edhe nga trajneri De Biazi për të qenë pjesë e Kombëtares, por vazhdon të jetë kusht aktivizimi i tij, për të ruajtur statusin e të preferuarit edhe nga tekniku i përfaqësueses. Përveç interesimit nga skuadrat italiane, ku emri më i rëndësishëm është Empoli, tashmë për Rei Manajn vjen edhe hipoteza, për një transferim të mundshëm në kampionatin spanjoll. Sulmuesi i ri u pezullua pak javë më parë nga trajneri i Peskarës, Masimo Odo, pas një përplasje fizike në një seancë stërvitore.