Man. Junajtid fiton Ligën e Europës ndaj Ajaksit, shkon në Champions!

Nuk luajti futbollin më të bukur në botë, ashtu siç nuk bëjnë thuajse kurrë skuadrat e Murinjos, por fitoi Ligën e Europës. Mançester Junajtid bëri të vetin trofeun e parë kontinental që nga viti 2008 me suksesin 2-0 ndaj Ajaksit në “Arenën e Miqve” në Stokholm, një kënaqësi sado e vogël për tifozët e qytetit, të tronditur dhe të pikëlluar pas sulmit terrorist të fillimit të javës.

Jo vetëm kaq, por “djajtë e kuq” siguruan kualifikimin për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, pikërisht si fitues të këtij kompeticioni, dhe u bënë skuadra e parë angleze që fiton në Europë që nga Çelsi që mori Championsin në 2012.

Pol Pogba në minutën e 18-të dhe Henrik Mkitarian menjëherë pas pushimit, ishin diferenca në tabelën e rezultateve, ndërsa Murinjo u bë i pari trajner në garat e UEFA-s që t’i fitojë më shumë se një herë të dyja kupat. Në 2003 ai fitoi Ligën e Europës (Kupën UEFA) me Porton, ndërsa tani me Junajtidin, kurse Championsin e ka bërë të vetin në 2004 (Porto) dhe 2010 (Inter).

Ajaksi nuk luajti keq dhe rrezikoi dy herë në pjesën e parë, por pësoi një gol me devijim, duke mos pasur fat. Më tej, holandezët e trajnerit Bosh nuk e kishin përvojën e duhur për një nivel të tillë dhe ndaj një skuadre eksperte në mbrojtje, siç mund të jetë një e Murinjos. Me këtë sukses, anglezët do të kenë pesë skuadra në Champions (Çelsi, Totenhem, Man. Siti, Liverpul, Man. Junajtid).

Murinjo arriti në 25 trofe, me tre të fituara me Mançester Junajtidin (Superkupë e Anglisë, Kupa e Ligës, Liga e Europës), që do të thotë një nga trajnerët më fitues të të gjitha kohëve. Skuadra e “Old Trafordit” arriti ta fitonte edhe kupën e vetme ndërkombëtare që i mungonte.

Sfidanti.al