“Lumturi moldave” e Kombëtares, trajnerit Reja dhe presidentit Duka

Thonë se futbolli është loja që me anë të golave gënjen  më bukur se kushdo sport tjetër, madje është kaq trazues në kujtesë,   sa harron 90 minutat dhe të mban peng  vetëm tek episodet. Shqipëria ka mundur Moldavinë me 2 gola , i pari me fat dhe i dytë me një goditje për mall. Trajneri Edi Reja, në fund të ndeshjes, duket sikur ka fituar një sfidë të madhe, që spektaklin e ka patur të fshehur dhe nuk kuptohet me sy,  një ndeshje nga ato që 2 gola nuk arrijnë të tregojnë realisht  atë që ka ndodhur. Kurse shkesi i tij, presidenti Duka, na bën me zemër, kur lodron me ndjenjat… sikur  ka përjetuar dramën e humbjes së besimit gjatë ndeshjes, por fundi ka qënë lumturues. “ U kënaqa që shënoi Cikalleshi. Edhe ai, sic kam qënë unë nën presion, ka bërë disa shtylla. Uroj që të ketë hapur rrugën e golave..”

Shtyllat e Cikalleshit i kemi akoma para syve, madje me to luanim lojën e vjetër të konvertimit se  3 shtylla vlejnë sa një  1 gol, por, kujtesa, duket se na tradheton tek “shtyllat” që ka bërë presidenti, kur paska qënë nën presion. Për hir të së vërtetës, nuk mbahen mend shtylla, por vetëm.. “golat”. Gola për të cilët feston i  vetëm, pa dashur ndihmë nga të tjerët. Mos vallë çmohet si shtyllë përpjekja e dështuar për t’u futur ne UEFA qysh herën e pare? Në fakt nuk ishte shtyllë, por ..autogol! Madje me kosto. Mos vallë quhet shtyllë stadiumi me kullë, pasi kur futet politika në lojë ..topi i fitimit është i shryrë. Dashtë perëndia, nuk bie topi në shtyllë edhe në lojën për ndërtimin e zyrave të reja të FSHF-së, pasi kemi bërë një sakrificë shumë shqiptare për to..kemi përzënë qindra  fëmijë që stërviteshin në ato fusha, si  për të vërtetuar sloganin se “ Gjithshka për fëmijët”..e hanë vetëm burrat e futbollit !

Sfidanti.al