Lukaku-Brozoviç, sërish në kopertinë, por për fitoren e derbit!

Antonio Konte nuk u ka kërkuar që të jenë shokë me patjetër, të dalin për darkë së bashku e të kenë ngjashmëri në jetët e tyre. Jo, trajneri i Interit dëshiron nga Romelu Lukaku e Marcelo Brozoviç që të japin maksimumin në fushë, e të luajnë si pjesë e ekipit. Leksioni duket se po mësohet sepse dyshja zikaltër doli sërish në kopertinë, por këtë herë jo për grindje, veçse si protagonistë në fitoren e derbit.

Ishin pikërisht ata autorët e golave me të cilët Interi fitoi 2-0 në fushën e Milanit, në një “San Siro” të mbushur si për rastet e mëdha, por me shumicën e tifozëve që prisnin fitore kuqezi. Ndodhi e kundërta, padyshim e merituar për skuadrën e Antonio Kontes. E “thonë” edhe tre shtyllat e goditura nga zikaltërit, me anë të D’Ambrozios, Politanos e Kandrevës, ndërsa milanistët goditën një herë me Teo Hernandezin.

“Derbi i Madoninës” nuk ishte një spektakël i vërtetë futbolli, pavarësisht dy golave e 4 shtyllave. Fituesit nuk shkëlqyen, edhe pse ishin thuajse gjithnjë të rrezikshëm. Humbësit e patën shumë të vështirë të krijonin aksione sulmuese për të shënuar, dhe ishin mirë vetëm në gjysmën e dytë të pjesës së parë. Xhampaolo mund të jetë një trajner shumë i mirë taktikisht, por padyshim do t’i duhet kohë për të krijuar skuadrën që do, plus duhet të tregojë se e përballon trysninë e këtyre niveleve. Për momentin, Interi kryeson bindshëm dhe me meritë Serinë A, me 15 pikë në 5 ndeshje, edhe pse Juventusi nuk është larg.

Sfidanti.al