Liverpuli fiton derbin me Junajtidin e shkëputet në Premier, Salah prish mallkimin!

A mund të quhet e merituar kjo fitore? Për tifozët e Liverpulit, padyshim, po ashtu edhe për trajnerin Jurgen Klop, besohet edhe analizët nuk do të jenë kundër. Nuk ishte, gjithsesi, aspak e lehtë në një derbi, siç është sfida e Premier Ligës ndaj Mançester Junajtidit, edhe pse u luajt në “Anfild”, por një skuadër quhet e madhe kur triumfon edhe në momente të vështira. Përfundoi 2-0 dhe të kuqtë janë tani 16 pikë të shkëputur në krye të renditjes së kampionatit anglez, madje duke pasur 22 ndeshje, një më pak sesa Mançester Siti i vendit të dytë.

Virgil Van Dajk dhe Mohamed Salah ishin autorët e golave, veçse duhet thënë se “djajtë e kuq” i vunë kryesuesit në një sprovë shumë të vështirë. Përtej epërsisë në zotërim topi, epërsisë në gjuajtje dhe në goditje nga këndi, sërish Liverpuli nuk e pati në asnjë moment fitoren të sigurt, dhe Junajtidi i krijoi mundësitë për të marrë barazimin. Gjithsesi, fati nuk i deshi të dyja skuadrat që humbën raste të shumtë, në një përballje që duhej të kishte pasur shumë më tepër se dy gola.

Junajtidi ndjeu mungesën e sulmuesit kryesor, Markus Rashford, të dëmtuar, e po ashtu të mesfushorit më të mirë, Pol Pogba, gjithashtu me lëndim. Të kuqtë patën problem lodhjen dhe Klopi u detyrua të zëvendësonte Sadio Manenë e Roberto Firminon. Sulmuesi tjetër, Mohamed Salah, shënoi më në fund për herë të parë në karrierë ndaj Mançester Junajtidit, me “redsat” që, po për herë të parë kanë shënuar radhazi në 22 ndeshjet e para të një kampionati.

Ata kanë 102 ndeshje radhazi pa humbje pas avantazhit të pjesës së parë, që nga dhjetori i 2009-ës kur i mundi Arsenali. Më i rëndësishëm fakti që Liverpuli ka 64 pikë në 66 të mundshme, me barazimin e vetëm në “Old Traford” pikërisht ndaj Junajtidit. Pritja 30-vjeçare për titullin po i afrohet gjithnjë e më shumë fundit.

Sfidanti.al