Lioni mposht Romën, i afrohet kualifikimit në Europa League!

Roma mund të jetë një nga skuadrat më të mira të Italisë, por kupat e Europës nuk i njeh aq mirë sa Lioni. Në Francë, verdhekuqtë e trajnerit Spaleti pësuan një humbje të rëndë që mund t’i lerë jashtë kompeticionit. Vendasit me përvojë fituan 4-2 në ndeshjen e parë të të tetave të finaleve të Ligës së Europës, madje me përmbysje. Diahabi shënoi së pari për Lionin, pastaj Salah e Facio kaluan Romën në epërsi, por pjesa e dytë ishte fatale për italianët. Toliso, Fekir dhe Lakazetë sollën pak “erë Barcelone” në “Stad Zherland”.

Selta e Vigos mbeti me shpresë për çerekfinalet, edhe pse në Rusi nuk do ta ketë të lehtë në ndeshjen e dytë, pas fitores 2-1. Daniel Vas shënoi në nisje të pjesës së dytë për spanjollët, por Viktor Kleson barazoi për ekipin që eleminoi Partizanin tonë në plej fo. Pikërisht në sekondat e fundit, Klod Buve i dha fitoren Seltës.

Barazim në derbin e Gjermanisë, Shalke-Borusia Mynshengladbah. Jonas Hofman kaloi përpara Gladbahun në 15’, por Shalke barazoi shpejt me anë të Guido Burgshtalerit në të 25-ën minutë. Më pas nuk pati asnjë gol tjetër dhe kualifikimi do të zgjidhet rreth 60 km më larg në stadiumin e Mynshengladbahut.

Ishte Genku fituesi, madje bindës, i derbit të Belgjikës, edhe pse u luajt në fushën e Gentit. Ruslan Malinovskij shënoi për miqtë golin e parë, pastaj Samuel Kalu barazoi për Gentin, veçse Omar Kolej, Mbuana Samata dhe Jere Uronen i dhanë avantazhin 4-1 Genkut. Kalifa Kulibali shënoi për 2-4, Zheremi Perbet humbi penallti për të zotët e shtëpisë dhe Samata shënoi të pestin për miqtë, me rezultatin final 2-5.

Së fundi, 1-1 në derbin greko-turk në Pire. Olimpiakosi vendas kaloi në epërsi me legjendën e dikurshme të Interit, Esteban Kambiason në pjesën e parë (36’), por Beshiktashi turk nuk u dorëzua dhe barazoi me rrjetën e Vinsent Abubakarit në 53’. Tashmë, turqit janë favoritë për t’u kualifikuar në Stamboll.

Sfidanti.al