Liga e Europës: Shkëlqejnë anglezët, por italianët e patën pisk!

Një duel i madh i fundit të viteve 80-të u riluajt në stadiumin “Marakana” të Beogradit, edhe pse skuadrat kanë ndryshuar shumë sot. Crvena Zvezda priti Milanin duke rikujtuar duelin e lavdishëm të 1988-ës, kur ekipi i Arrigo Sakit dhe i tre holandezëve (Van Basten-Gulit-Rajkard) hoqi “të zinë e ullirit” dhe u shpëtua vetëm nga mjegulla në kryeqytetin e atëhershëm të Jugosllavisë.

Këtë herë nuk ishte e njëjta gjë, pasi serbët nuk patën yjet e dikurshëm si Stojkoviç, Saviçeviç, Pançev, Prosineçki, Shabanaxhoviç apo Belodediç, ndërsa Milani nuk e pati më të madhin, Zllatan Ibrahimoviç. Përfundoi 2-2, në një ndeshje emocionuese të luajtur mirë nga të besuarit e trajnerit Dejan Stankoviç, por me kuqezinjtë që cilësohen favoritë për të kaluar turin.

Nga ekipet italiane, vuajti shumë edhe Napoli që u mund 0-2 në Spanjë në fushën e Granadës, ndërsa Roma e pati më të lehtë duke triumfuar 2-0 në stadiumin e Bragës. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla, nuk ishte aspak në ekip, ndërsa golat u shënuan nga Xheko e Majoral.

Shkëlqimin këtë të enjte e patën anglezët. Mançester Junajtidi e tregoi veten skuadër të vërtetë europiane duke fituar 4-0 në fushën e Sociedadit, e duke rikujtuar se jo më kot kishte fituar 5-0 ndaj Lajpcigut në Champions. Bruno Fernandes shënoi 2 herë, Markus Rashford e Daniel Xhejms nga një herë. Totenhemi mund të quhet gjithashtu i kualifikuar me fitoren 4-1 në Austri ndaj Volfsbergerit ku Son, Bejl, Moura dhe Vinisius shënuan për djemtë e Zhoze Murinjos. Arsenali mori një barazim të mirë 1-1 në Lisbonë me Benfikën, ndërsa Leisteri barazoi 0-0 në Pragë ndaj Sllavias vendase, për të provuar forcën e kryesueses së Superligës së Çekisë.

Sukses për Vijarrealin në Austri me Salcburgun (2-0), për Gllazgou Rejnxhërsin në Belgjikë me Antverpin (4-3) dhe e Ajaksit në fushën e Lilës, 2-1. Dinjitoz Jang Bojsi zviceran që mundi në shtëpi 4-3 Leverkusenin e Bundesligës.

Dinamo Kiev-Klub Bryzh 1-1, Braga-Roma 0-2, Crvena Zvezda-Milan 2-2, Krasnodar-Dinamo Zagreb 2-3, Olimpiakos –PSV Ajndhoven 4-2, Sociedad-Mançester Junajtid 0-4, Sllavia Pragë-Leister 0-0, Volfsberger-Totenhem 1-4, Jang Bojs-Leverkusen 4-3, Antverp-Rejnxhërs 3-4, Benfika-Arsenal 1-1, Granada-Napoli 2-0, Lilë-Ajaks 1-2, Makabi Tel Aviv-Shahtar Donjeck 0-2, Molde-Hofenhajm 3-3, Salcburg-Vijarreal 0-2.

Sfidanti.al