Legjendat Zep Maier e Toni Shumaher, mendojnë pak ndryshe për Nojerin!

Të dy i japin vlerësimin maksimal gardianit të sotëm të Bajernit, dhe nuk kanë asnjë dyshim për klasin dhe se çfarë përfaqëson ai. Gjithsesi, dy portierë legjendarë të Gjermanisë, si Zep Maier dhe Harald “Toni” Shumaher, kanë një dallim për japin përgjigje për pyetjen nëse “Bajerni duhet të rinovojë deri në 2025 me Manuel Nojerin apo jo?”

Maier, ish-numri 1 i Bajernit dhe i Gjermanisë në vitet 70-ë (si edhe pak më herët), është 100 për qind në mbështetje të portierit të sotëm. “Nojeri duhet të qendrojë deri në 2025, – thotë kampioni i botës në 1974, për “Bildin”, – në mënyrë që Bajerni të mos ketë probleme me portën. Oliver Kahni luajti deri 39 vjeç. Nuk ka të rinj apo të vjetër, sidomos për portierët. Aleksandër Nubeli duhet të presë, tetë portierë u ulën në stol, ndërsa unë luajta 422 ndeshje pa ndërprerje”.

Po kampioni i Europës në 1980, Shumaheri, çfarë mendon? “Unë jam i bindur se Nojeri mund të vazhdojë tek Bajerni deri në 2025, – pohoi ai, – unë besoj se ai do të jetë në nivel të lartë deri atëherë, por kontrata duhet të jetë mbi bazë vjetore, mbi bazën e një numri të caktuar të ndeshjeve, të dëmtimeve të mundshme. Sa më i vjetër bëhesh, aq më shumë kohë duhen për t’u riaftësuar nga dëmtimet”.

Sfidanti.al