Lebroni në 360 gradë, nga ëndrra për titullin tek lufta ndaj racizmit!

Karriera e tij ka qenë e jashtëzakonshme. Shumë pak yje në sportin profesionist mund të mburren se kanë qenë në nivelin e Lebron Xhejmsit, por i mbiquajturi “Mbreti i basketbollit” ende nuk është i kënaqur. Ndërsa rinis përgatitjet për të përfunduar sezonin e NBA-së, të ndërprerë nga koronavirusi, ai ka vetëm një objektiv në mendje. Lebroni do të jepte gjithçka që të fitonte titullin, që do të ishte i katërti në 17 vjet karrierë në ligën amerikane të koshit.

Ylli i sotëm i Lejkërsave vlerësohet si një nga më të mëdhenjtë e basketbollit, madje duelin e vetëm si numri 1 i historisë e ka me Majkëll Xhordanin. Legjenda e Çikago Bullsit fitoi 6 tituj kampion, duke luajtur gjatë gjithë karrierës me një skuadër të vetme, e madje duke i lejuar vetes të largohej për 2 vjet nga NBA për të provuar bejsbollin. Filmi dokumentar i Netfliksit, “Vallëzimi i fundit”, kushtuar titullit të Xhordanit në 1998, e kanë ndezur edhe më shumë debatin, dhe e kanë shtuar vendosmërinë e Lebronit për të fituar.

Edhe pse është shënuesi i tretë më i mirë në histori, edhe pse mund të cilësohet më i kompletuar se Xhordani, edhe pse ka qenë 16 herë në Ndeshjen e Yjeve, dhe ka luajtur 8 finale radhazi, sërish janë titujt ata që vendosin, dhe Xhejmsi është ende prapa. Ai beson se sezoni i shkurtuar i NBA-së në Floridë mund ta ndihmojë. Lejkërsat janë kryesues në Konferencën Perëndimore, falë dyshes Lebron-Entoni Dejvis, ndonëse pritet të  kenë sfidën e Klipersave në derbin e qytetit, të Denverit apo të Hjustonit të Xhejms Hardenit.

Sidoqoftë, rivali më i fortë për titullin mbetet Miluoki i superyllit tjetër, Janis Antetokumbo, skuadra që dominon Konferencën Lindore, dhe që ka bilancin më të mirë të sezonit në NBA, deri tani, me 53 fitore e 12 humbje, ndaj 49 fitoreve e 14 humbjeve të Lejkërsave. Gjithsesi, “Mbreti i Basketbollit” nuk është vetëm një sportist i madh, por edhe një luftëtar për të drejtat e njeriut, dhe ai kërkon drejtësi për vajzën afroamerikane Briona Tejlër të vrarë nga policia amerikane në mars të këtij viti.

“Objektivi ynë është i qartë, ne duam titullin, – shprehet Lebroni, – jemi përgatitut fort për t’ia dalë. E di mirë se çfarë konkurrence na pret, por kështu ka qenë gjithmonë. Gjithsesi, unë jam këtu për të luftuar edhe për të drejtat e njeriut. Ne duam që agjentët e policisë që janë fajtorë për vrasjen e Brionës të arrestohen. Ne duam që drejtësia të bëjë punën e saj. Si një nga udhëheqësit e kësaj lige, dua që familja e saj ta dijë sesa dhimbje ndjejmë ne për të”.

Në miqësoren e luajtur ndaj Dallasit, Lebroni e kishte të shkruar në atletet e tij shprehjen “drejtësi për Brionën”. Duke u kthyer tek basketbolli, Lejkërsat nuk u dukën edhe aq mirë, duke u mundur 108-104 në ndeshjen përgatitore, në prag të rifillimit të sezonit, dhe Lebroni shënoi vetëm 12 pikë.

Sfidanti.al