Lamtumira “e gabuar”, Venger nuk fiton të fundit në “Emirejts”

Fillimisht u duk se ishte mbrëmja e duhur. Arsen Venger luante ndeshjen e fundit europiane në “Emirejts”, pra në shtëpinë e tij, dhe skuadra e tij, Arsenali, kishte gjithçka në rregull për të fituar. Atletiko e Madridit mbeti me 10 lojtarë që në minutën e 10-të të gjysmëfinales së parë të Ligës së Europës, kur Vrshaljko doli nga loja me të kuqe.

Nuk kaluan as 3 minuta, kur “Atleti” mbeti edhe pa trajnerin e saj të famshëm, Diego Pablo Simeonen, ndërsa në minutën e 61-të, londinezët shënuan golin e avantazhit me autor Lakazetin. Gjithsesi, përtej faktit se “e bukura” po luante ndaj “të shëmtuarës”, pra Arsenali sulmues ndaj Atletikos mbrojtëse, skuadra spanjolle i ndenji besnike trajnerit të vet.

Nuk u dorëzua deri në fund, edhe pse me më pak lojtarë në fushë dhe pa Simeonen në stol, duke marrë një barazim tepër të vlefshëm me golin e Antuan Grizmanit në të 82-ën minutë. Arsen Venger nuk mundi të bënte mbylle triumfale europiane në Londër, edhe pse Arsenali ende ka shpresë që të kualifikohet. Ai shpreson që largimi i tij përfundimtar të bëhet në mënyrë madhështore, duke dalë në finale e duke fituar Ligën e Europës, që do të thotë kualifikim për në Champions.

Sfidanti.al