Lajmi i madh për Juven është që CR7 shkëlqen edhe pse me penallti!

Shpesh është kritikuar se përse shumë prej golave të tij kanë ardhur nga 11 metra larg. Natyrisht, Kristiano Ronaldo ka shënuar edhe në shumë mënyra të tjera, pasi ka mbi 700 “shënjestra” në karrierë, ndërsa pas ndeshjes me Leçen në Serinë A, lajmi i mirë për Juventusin është që portugezi është kthyer në formë. Edhe pse shënoi sërish me penallti! “La Gazeta delo Sport” i jep notën 7, notë shumë e mirë për moshën e tij 35-vjeçare, me talentin dhe potencialin që ka Juvja, dhe për problemet fizike që një lojtar i tillë nuk mund të mos i ketë për shkak të ndërprerjes.

Ronaldo e fitoi vetëm penalltinë dhe shënoi golin e 23-të në kampionat, pastaj u ndalua disa herë nga portieri i Leçes, Gabriel, ndërsa dha maksimumin. Natyrisht, u desh sërish perla e Dibalës, si dhe kënaqësia ishte e madhe për golat e Higuainit e De Ligtit, që kishin kaluar momente të vështira, sidomos argjentinasi. Gjithsesi, duhet theksuar me të madhe se kampionët u ndihmuan nga fakti që Leçe luajti me 10 vetë për 60 minuta, pasi Fabio Luçoni u përjashtua me karton të kuq në 31’. Dhe u deshën të kalonin 83’ që të shënohej goli i tretë.

Suksesi mbeti sukses dhe bardhezinjtë hodhën një tjetër hap drejt titullit të 9-të radhazi, për të barazuar arritjet e Rejnxhërsit e Sëlltikut në Skoci, ndonëse disa skuadra kanë nga 10 tituj radhazi, Dinamo e Zagrebit ka 11 radhazi në Kroaci, Rozenborgu ka 13 në Norvegji, BATE ka po 13 në Bjellorusi, ndërsa rekordin e mbajnë Linkolni i Gjibraltarit dhe Skonto e Rigës në Letoni me nga 14.

Sfidanti.al