La Liga mburr Mesin, ndërsa Leo kalon sërish Ronaldon

Në vjeshtën e vitit 1988, kombëtarja e Anglisë erdhi në Tiranë për ndeshjen eleminatore të Botërorit, duke pasur në përbërje një sulmues të veçantë që quhej Stiv Bull, dhe që ishte kaq i zoti në lojën me me kokë, saqë ekzistonte një barcaletë: “Ju lutem, më lejoni që penalltitë t’i gjuaj me kokë”.

Sot, në fushat e futbollit është një lojtar edhe më i veçantë, me emrin Lionel Mesi, i cili duket sikur thotë: “Ju lutem, a mund t’i gjuaj penalltitë si goditje dënimi? Pasi realizoi tre gola vendimtarë nga goditjet standarde jashtë zone në tri javë radhazi të kampionatit spanjoll, La Liga botoi një montazh të tri fotove, në faqen e saj zyrtare në Tuiter, ku diçitura ishte: “Një goditje dënimi është si një penallti për Mesin”. Në fotot ishte vendosur numri i javës, 28, 29 dhe 30.

Në të njëjtën kohë, agjencia e specializuar “OptaJose” shkruan se Mesi është tani shënuesi më i mirë në historinë e 5 ligave të mëdha europiane (La Liga, Premier Liga, Seria A, Bundesliga, Liga 1), duke pasur 415 gola, ndaj 414 të Kristiano Ronaldos. Dueli, padyshim vazhdon, por Mesi e nisi karrierën në këto nivele të paktën 1 vit pas Ronaldos. Përsa i përket goditjeve të dënimit, CR7-ta ka ende epërsi me 53 gola të tillë, ndaj 47 të kapitenit të Barcelonës, i cili po afrohet gjithnjë e më shumë.

Sfidanti.al