Kur “xhaxhi” i Dinamos qëllon Panuçët e Babuçët, licencat “dridhen” në FSHF

Edhe pse ka moshë, “Xhaxhin” nuk e tradhëtojnë kurrë sytë dhe mëndja. Madje ka nishanin e një djaloshi të ri, i cili e godet mollën sipër kokës kur është fjala për të zbuluar “sekrete” nga jeta në fshehtësi e Superligës. Cili është ky xhaxhi i futbollit? Askush nuk e bën këtë pyetje, sepse të gjithë e dinë se xhaxhi rebel është Farruk Sejdini, një protestues i pandryshueshëm, sidomos kur shfaqet në ekran. Aty tek vendi i bekuar ku trajnerët zakonisht e kanë bërë zakon të bëjnë qoka klubit që lakmojnë të marrin dhe përgatisin me skemë “varrin” për kolegun e tyre, për të siguruar.. bukën e lepurushit! Sejdini, kur shfaqet është ndryshe nga gjithë raca e tij e Dinamos, një racë që bëri histori me shenjë të pashlyeshme, një racë që ka frikë të flasë edhe pse po përjeton vdekjen e përditshme të një klubi, lufta ndaj të cilit nisi si një lojë shahu. Fillimisht bënin sikur donin t’i shkulnin emrin “politik” Dinamo, kurse mëndjen e kishin gjetiu..për t’i zaptuar tokën në vendin e pëllumbave! Dinamon e ngritën prej leckash, kurse dinamovitët janë akoma në gjumë me dilemën e madhe se cila ia bëri më shumë gropën, politika apo vetë babëzia brënda llojit !
Farruku nuk ka frikë, madje është i vetmi i brezit të tij që kur flet duket sikur përmbledh gjithë zemërimin homerik të dinamovitëve. Të atyre që janë fikur, duke patur fat të mos shikonin me sy katandisjen “epike” të klubit të tyre, dhe, të atyre që janë dëshmitarë se si një klub që shërbente si far, po shikon me dramë kur babëzia ngrihet në formën e “kështjellës së betonit”, apo siç quhen me modesti miopike.. zyrat e FSHF-së. Ato që po peshojnë dhunshëm mbi kockat e brezave dinamovitë, të atyre që mund t’i vjedhësh shtëpinë, por jo historinë.. Dhe zyrat e FSHF-së, ato që po rëndojnë ndjeshëm dita-ditës mbi kufomën e Dinamos, kush tjetër veç “xhaxhit” mund t’i jepte mallkimin e merituar . Sidoqoftë, Sejdini mbetet spektakolar në lojën e tij të vërtetë, por dhe pikante në ekran. Cilat ishin “golat” e tij të fundit ? Pse prishën humorin e oborrit, të atyre që disa vite më parë shpërdanin në fshehtësi parrulla se UEFA është lavire, kurse tani që kanë shefin brenda, thonë se UEFA qënka e..paprishur! Janë pikërisht ata që kur e shohin xhaxhi Farrukun se është “gjallë” dhe fshikullues me sistemin , sikur u del nga shpirti dhe jo nga goja : “ Bo, bo, doli ky Xhaja i Dinamos, që bën sikur tregon bejte, por lëshon helmin e radhës..” Po, po, është helm i nevojshëm, si ilaç ka qënë dhe mbetet stili i tij. “Xhaxhi”, në daljen më të fundit, paska ngritur shpotinë gradualisht , kur në fillim ka thënë se Panuçi është si Magelani kur largoi Ansi Agollin dhe “zbuloi” Andi Lilën, ndërsa për “revolucionin e madh” të trajnerëve, atë të licensimit të skajshëm, që trokiti deri në fshatra, e ka motërzuar me ..diplomat e Kristalit. Pale sikur ta marrësh pak seriozisht dhe atë anektodën, kur disa bojaxhinjve, pasi lyhen muret dhe zyrat e FSHF-së, nuk u dhanë para në dorë, por i dhanë liçencë trajneri me fjalët e sinqerta : “ Vlejnë më shumë se para..”

G.Sinemati
Botuar ne gazeten Panorama Sport