Kur nuk dënon një shishe, prit breshëri mbi kokën e arbitrit

Një shishe apo send i fortë detyroi të rrëzohej përtokë arbitrin kryesor të ndeshjes Kukësi-Laçi. Ngjarja e stadiumit të Kamzës duhej të kishte qenë një mësim i mirë dhe një ndëshkim për të mos guxuar të përsëritej, por në vend të 6 apo 8 ndeshjeve pezullim të fushës, u vendos vetëm një gjobë. Përkëdhelja për Kukësin u ndje nga gjithë Superliga, dhe nuk vonuan tifozët e Tiranës të tregonin se e kishin kuptuar leksionin.

Një breshëri shishesh plastike drejt vijërojtësit, të cilat për fat të mirë nuk e goditën, pasi ai u tregua më i vëmendshëm sesa kolegu i Kamzës. Tifozët bardheblu, që goditën e dinin, siç edhe ndodhi, që breshëria e tyre do të përkëdhelej po aq sa goditja e arbitrit nga tifozët e Kukësit. Gjobë edhe për Tiranën, dhe një ftesë që arbitrat të jenë shënjestra e tifozëve, tashmë sporti i preferuar brenda Superligës shqiptare, për ata që nuk kënaqen thjesht duke parë ndeshjet.

Mirë tifozët se shpesh ndeshjet nuk ia vlen të shikohen siç ishte ajo e fundit në Laç, por FSHF dhe komisionet e saj, përse nuk marrin masa? Për ta kuptuar, paktin me djallin, mjafton të shikosh se sa shumë klube nuk e sulmojnë aspak Federatën. Për fat të keq, në futbollin tonë vazhdon të pëlqehet “mishi i ngordhur”, pra “kërmat”, dhe jo gjuetia e vërtetë, ajo për të fituar pikët e merituara.

Sfidanti.al