Kur humbet ka edhe nerva, shikoni De Brujnin dhe Guardiolën!

Mançester Siti po kalon momentet më të vështira nën drejtimin e trajnerit katalanas në 3 sezonet e fundit. Humbja në fushën e Uolvesit jo vetëm që e la edhe më larg nga Liverpuli i vendit të parë, jo vetëm që ia vuri pak në rrezik pozicionin në katërshen e parë të Premier Ligës, por edhe krijoi nerva. Madje, nervat u krijuan që përpara sesa të vinte humbja, ndërsa Siti po kryesonte 2-1. Guardiola vendosi të zëvendësonte Kevin De Brujnin dhe kjo ndodhi në minutën e 67-të.

Mesfushori belg nuk e priti aspak mirë zëvendësimin, dhe mbeti me nerva, edhe pasi trajneri iu afrua dhe toku dorën me të. Ishte e qartë se katalanasi e bëri zëvendësimin për shkak të dendurisë së madhe të ndeshjeve të Premier Ligës tani në fund të dhjetorit, dhe po ashtu ishte e qartë  se De Brujni donte të luante, si çdo lojtar tjetër. Pas ndeshjes, Pep “iu përvesh” drejtuesve të ligës së futbollit, duke thënë se “kjo ngjeshje e kalendarit po i shkatërron lojtarët, por ata nuk duan t’ia dinë”.

Sfidanti.al