Kumbulla ka 100-fishin e rrogës së legjendes Kryeziu, por sa do të donte ta fitonte titullin si ai!

Nuk është i pari që vesh këtë fanelë. Marash Kumbulla mund të quhet një pasardhës i largët i një ylli të dikurshëm të Romës, nga ata që nuk janë harruar. Përpara tij, bluzën verdhekuqe e pati në trup Naim Kryeziu, shqiptari i Kosovës që mbërriti nga skuadra e Tiranës në Serinë A dhe që në 1942 fitoi titullin kampion të Italisë. Ishte titulli i parë i klubit, dhe në një kohë lufte dhe epokë krejt tjetër, lojtarët e festuan duke ngrënë makarona e fasule, e duke u shpërblyer gjithsej me 15 000 lireta, siç treguan 40 vjet më vonë protagonistët e mëdhenj me në krye Amadeo Amadein.

Sot, Kumbulla as nuk mund t’i imagjinojë këto gjëra me një rrogë që do t’i arrijë ndoshta në 2 milionë euro bashkë me shpërblimet, por gjithsesi ai do të ishte tepër i lumtur që të fitonte një titull si dikur Kryeziu. “Për të ardhur tek Roma më bindi klubi, trajneri, ndihmësit e tij, po ashtu edhe skuadra, – shpjegoi ai, – më bindi edhe nxehtësia e tifozëve ndaj skuadrës. Të gjithë këta faktorë bënë që të zgjidhja Romën. Kam nisur menjëherë punën me ekipin, trajneri më shpjegoi se çfarë pret prej meje dhe sesi funksionon tek Roma. Shpresojmë që me kalimin e kohës të përshtatemi siç duhet e të fitojmë së bashku”.

Qendërmbrojtësi 20-vjeçar është tepër i lumtur që nga momentet e para që vuri këmbën tek Roma. “Pata padyshim përshtypje shumë të mira kur erdha në klub, – tha 20-vjeçari, – Takova shokët e skuadrës që më pritën shumë mirë, ashtu siç më ka pritur shumë mirë gjithë ambient këtu, tifozët, klubi shokët. Mendoj se jam përshtatur shumë shpejt dhe shumë mirë dhe shpresojmë të shkojmë përpara. Karakteristikat e mia kryesore janë saktësia në ndërhyrje, agresiviteti, mendoj së pari të mbroj mirë, por edhe të ndërtoj lojën. Jam ende i ri dhe ka shumë gjëra për të përmirësuar”.

Ai vjen nga Verona e cila e mori në moshë të vogël dhe e ndihmoi të bëhej një nga mbrojtësit më të mirë të Serisë A, pse jo edhe të Europës. “Është shtëpia ime dhe do të mbetet gjithnjë kështu, – pohoi Kumbulla, – e falenderoj thellësisht klubin, shokët dhe ish-shokët. Falenderoj mbi të gjithë tifozët që më kanë ndihmuar këta vjet që të rritem. Nuk do t’i harroj kurrë”. Kumbulla do të ketë një derbi me Tomas Strakoshën e Lacios, ndërsa duket çudi që nuk u bashkua me klubin tjetër të kryeqytetit ku kanë luajtur Lorik Cana, Etrit Berisha e ku do të jetë Muriqi. Pritet të jetë një derbi shumë i bukur.

Sfidanti.al