Kumbulla e Rrahmani ndalin Ronaldon, Verona mund Juventusin!

Një ditë para derbit, Interi mori një lajm të madh, një nga ata lajme që nuk e priste t’i vinte nga stadiumi “Bentegodi”. Juventusi, kampioni në fuqi i Italisë dhe kryesuesi i tabelës së Serisë A, u ndal në një humbje të hidhur e të pabesueshme në fushën e Veronës, me shifrat 1-2. Dikur, personaliteti i madh i letrave shqipe, Fan Noli, shkruante për luftën që Perandoria Britanike bënte me koloninë e vogël holandeze të Transvalit në Afrikën e Jugut: “Lufton bualli me minë (miun), Transvali e mundi Anglinë”. Këtë herë ishte “Transvali” i dy shqiptarëve, Kumbullës e Rrahmanit, që mposhti “Perandorinë” juventine.

Kristiano Ronaldo nuk mundi të refuzohej, ai shënoi golin për të 10-ën ndeshje radhazi, duke qenë vetëm një ndeshje larg rekordit absolut të Serisë A, por Borini në 76’ dhe Pacini në të 86-ën (me penallti), përmbysën shifrat. Marash Kumbulla dhe Amir Rrahmani ishin titullarë, që të dy në mbrojtje, dhe ishin pjesë e kësaj fitoreje të madhe. Juventusi pësoi humbjen e tretë në kampionat, në 23 ndeshje, duke mbetur në 54 pikë, ndërsa Interi ka 51, pra nëse fiton derbin e mbërrin. Verona është në vendin e 6-të me 34 pikë, duke pasur shpresë për Europën, dhe matematikisht, edhe për të shkuar në Champions. Të mos harrojmë se bëhet fjalë për skuadrën që borderonë totale të rrogave e ka 3 herë më të vogël se rroga vetëm e Kristiano Ronaldos.

Sfidanti.al