Kukësi shpëton kualifikimin në Maltë, Cungu kthehet me sukses

Shqipëria do të vazhdojë ta ketë përfaqësuesen e saj në Ligën e Kampionëve. Kukësi, edhe pse zhgënjeu në ndeshjen e parë me Valetën, ia doli të kualifikohej në Maltë, pas barazimit 1-1. Takimi, një javë më parë, në “Loro Boriçi” kishte përfunduar 0-0. Nuk ishte aspak e lehtë, pasi vendasit këmbëngulën shumë, madje kaluan në epërsi në minutën e 64-ët me anë të Santiagos. Shqiptarët reaguan dhe barazuan me gjeorgjanin Xharia 6 minuta para fundit.

Trajneri Armando Cungu arriti kështu një tjetër kualifikim në stolin kuksian, pas disa të tillëve që mori sezonin e parë që skuadra e presidentit Gjici luajti në kupat kontinentale, atëherë në Ligën e Europës. Kukësi, në turin e dytë eleminator, do të ndeshet me fituesin e çiftit Karabak (Azerbajxhan)-Olimpija Ljubljanë.

Sfidanti.al