Ku arrin kritika në Francë, Mbape s’duhet të jetë titullar tek PSG-ja!!!

Natyrisht, kushdo mund të “shigjetohet” dhe të ketë formën jo optimale për periudha të caktuara, por kur dëgjon kritikat për yllin kryesor të Paris SG, sikur habitesh pak. Këto kritika i lëshon ish-lojtari i PSG-së dhe i Francës, Zhan Mishel Larke (Larque), i cili thotë se Kilian Mbape nuk duhet të jetë titullar në ekipin e trajnerit Maurisio Poçetino. “Mbape nuk mund të jetë titullar sot tek PSG, – thotë Larke, – duke e krahasuar me atë që po bëjnë shokët e tjerë të skuadrës, si dhe duke parë që Nejmari po kthehet në nivelin e tij të zakonshëm”.

Larke thotë se “Mbapeja duhet të dezintoksifikohet në futbollin e tij, pasi është i ngarkuar me gjëra të panevojshme, ndërsa elementin kryesor që ka, shpejtësinë, nuk po e përdor siç duhet”. Sipas ish-lojtarit parizien, Mbape e do topin në këmbë vetëm për t’u tallur me kundërshtarët, ndërsa e humbet shumë herë kontrollin e sferës. Gjithsesi, të paktën me statistika, sulmuesi 21-vjeçar është pak a shumë në nivelin që ka qenë vjet, ka shënuar 14 gola në 21 ndeshje, nga të cilët 12 në kampionat (në 15 ndeshje). Vjet pati 20 ndeshje e 18 gola në Ligën e Parë dhe 30 gola në 37 ndeshje gjithsej në sezon.

Sfidanti.al