Kriza e Barcelonës, largimi i Mesit në prag, ndërsa cikli i madh është mbyllur!

Largimi nga Lisbona u bë me kokën ulur. Skuadra e Barcelonës, drejtuesit dhe stafi teknik ikën, siç thuhet “me bisht ndër shalë”, pas katastrofës me Bajernin, veçse më e keqja ndoshta ka filluar pikërisht tani. Një cikël i madh duket se është mbyllur dhe shumë prej yjeve, deri tani të cilësuar të paprekshëm, si Pike, Buskets, Zhordi Alba, Suarez e madje edhe Mesi, të jenë në fund.

Një natë më parë, tifozët ua dhanë sinjalin duke i vërshëllyer dhe ofenduar, kur u kthyen nga stadiumi në hotel, shenjë e qartë sesi është atmosfera rreth “blaugranëve”. Ndërsa faqja zyrtare e klubit në jutub vazhdon sikur nuk ka ndodhur asgjë, duke hedhur pamje të fazës përgatitore për sezonin e ardhshëm, të atyre që nuk ishin në Champions, presidenti Zhozep Maria Bartomeu paralajmëroi ndryshime.

“Nuk dua që të flas sot për vendimet, sepse disa prej tyre janë marrë, por disa të tjera do të merren, – tha Bartomeu, – sot është dita për të reflektuar, do të përpiqemi të ngrihemi në këmbë sa më shpejt, dhe që javën që vjen do të vijnë vendimet. Nuk u paraqitëm siç i takon emrit të skuadrës, po ashtu nuk kemi qenë klubi që duhet të jemi. Ishte një katastrofë”.

Gjithsesi, vetë Bartomeu është nga ata që mund të largohen. Zgjedhjet për kreun e klubut duhet të jenë në mars ose në prill të vitit të ardhshëm, por lufta civile ka nisur që më parë, dhe pozicioni i numrit 1 është tepër i rrezikuar. Gjithsesi, tema kryesore është e ardhmja e Mesit. Kapiteni u shfaq tepër i dëshpëruar pas ndeshjes, dhe lajmet janë që ai do të presë deri verën e ardhshme, e nëse nuk do të bindet nga ndryshimet, do të largohet.

Tifozët, të paktën ata që votuan për “Markën”, gjykojnë se Mesi tashmë nuk është i paprekshëm. Plot 57 për qind e tyre mendojnë se lojtari duhet të marrë vendimin sipas dëshirës, 28 për qind mendojnë se nuk ia vlen të rinovohet kontrata që përfundon në 2021, ndërsa vetëm 15 për qind duan që Leo të rinovojë sa më shpejt.

Si trajner, shpresohet që të bindet legjenda Ksavi Hernandez, për të zënë vendin e Kike Setienit, ndërsa do të bëhen përpjekje edhe për Maurisio Poçetinon e Ronald Kumanin. Ndërsa skuadra u kthye në Barcelonë, e qartë është se një cikël i madh është mbyllur, e ndoshta do të duhen shumë vjet që tifozët të shohin një tjetër.

Sfidanti.al