Kritika dhe besim, kështu përgatitet Dinamo për “Skënderbeun II”!

Barazimi europian në “Maksimir” erdhi si tronditje. Jo pak kritika për Dinamon e Zagrebit, pas 1-1 ndaj Skënderbeut në Ligën e Europës, por duket se asgjë nuk ka ndikuar tek trajneri i “bluve”. Mario Cvitanoviç, vazhdon me një lloj nënvleftësimi për kundërshtarin shqiptar. Përpara ndeshjes së fituar 2-0 ndaj Slaven Belupos, ai u shpreh për mediat kroate se “është fat që lojtarët e kuptuan se u tallën në ndeshjen ndaj Skënderbeut”.

Kjo pasoi deklaratat e Cvitanoviçit pas barazimit 1-1 në Ligën e Europës, kur tha se “çdo skuadër është e rrezikshme kur e lejon të luajë, dhe ne e bëmë këtë ndaj Skënderbeut, por jam i bindur se do të shkojmë për fitore në Shqipëri”.

Gjithsesi, për trajnerin ka kritika, mbi të gjithë nga ish-trajneri i Kroacisë, i Dinamos, dhe i Shqipërisë, Oto Bariç. Veterani i stolit u shpreh se Dinamo luan më dobët se gjithë ekipet e tjerë kroatë në Europë, si Rijeka, Hajduku apo Osijeku, dhe se në mungesë të Sudanit, me shumë gjasa eleminohet nga Skënderbeu. Bariç, gjithsesi, nuk pati vlerësim tepër të lartë për ekipin shqiptar, duke e quajtur të mirë, por larg nivelit me të cilin duhet të përballet Dinamo.

Një kritikë e ashpër u bë edhe për yllin kryesor të zagrebasve, Ante Çoriç, nga ish-trajneri i kombëtares kroate, Krunisllav Jurçiç. “Djali duhet të zgjohet nga gjumi, – tha ai për gazetën “Veçernji List”, – nuk i mungon talenti, as mbështetja, por duket se suksesin e tij e duan më shumë të tjerët sesa vetë ai”. Gjithsesi, kompanitë e basteve vazhdojnë ta quajnë Dinamon si favorite për t’u kualifikuar në fazën e grupeve të Ligës së Europës, pavarësisht nga rezultati i ndeshjes së parë.

Sfidanti.al