Kristiano dhe Nejmari, Realit i sillet mendja vërdallë

Blerja e kartonit të Nejmarit mund të ndodhë, ndonëse është e vështirë, ndërsa problemi më i madh për Realin është një tjetër. Presidenti Florentino Perez, edhe pse fërkon duart në aspektin e biznesit, ka dhimbje koke në anën sportive, pasi ardhja e Nejmarit në Madrid do të thotë se do të ketë dy “gjela në një kafaz”. Me Kristiano Ronaldon ende tepër të rëndësishëm dhe tepër egoist, dhe me Nejmarin jashtëzakonisht egoist dhe mjaft kapriçioz, trajneri Zidan do të kishte një jetë prej ferri.

Dy lojtarët do të ziheshin për çdo goditje dënimi, për çdo penallti, për çdo favor dhe trajtim të veçantë, si dhe për rrogat e tyre. Për momentin, Nejmar merr 37 milionë euro tek Paris SG, i dyti në botë pas Mesit, ndërsa Ronaldo fiton 23 milionë euro, pra shumë më pak. Portugezit i është premtuar rritje rroga, por vështirë se do të arrihet në 40 milionë, ndërsa Nejmar nuk do të lëvizë nga Parisi, pa pasur gjithashtu një rritje rroge.

Gjithsesi, Perez duket i vendosur të rrezikojë, aq më tepër që 26-vjeçari Nejmar cilësohet si e ardhmja e futbollit botëror, ndërsa Ronaldo 33-vjeçar është tashmë në perëndim të karrierës. Dëshira e Realit, mesa duket, është që ta marrë brazilianin që këtë verë, dhe do të mos presë 2019-ën.

Sfidanti.al