Konte si Herrera, Trapatoni e Murinjo, por duhet të bindë lojtarët për rrogat!

Interi jepet për titullin, pavarësisht se një legjendë milaniste si Zhorzh Ueah nuk e beson. Mediat italiane ia japin meritën kryesore për këtë transformim pikërisht trajnerit Antonio Konte duke e krahasuar me emrat e mëdhenj të stolit interist në të kaluarën. Nga ata që kanë luftuar për trofe, për Serinë A apo edhe më shumë, kanë qenë “Magjistari” Helenio Herrera, Xhovani Trapatoni, Zhoze Murinjo, Berselini dhe Mançini. Konte jepet me cilësitë realiste të Trapatonit, me ashpërsinë e Berselinit, me zgjuarsinë taktike të Herrerës dhe me vetëbesimin e Murinjos.

Është pikërisht faktori “Konte” që jep më shumë shpresë në garën për titull me Milanin (dhe padyshim me Juventusin), ndërsa Interi po kalon një periudhë të vështirë jashtë fushe. Pritet ndryshim pronësie, ndërsa aksionerët e tanishëm po e përballojnë barrën duke “dihatur” rëndë. “La Gazeta delo Sport” shkruan se ka vonesa rrogash dhe kjo ka krijuar pakënaqësi tek lojtarët, por efekti Konte dhe mundësia për të fituar titullin kampion duket se po del më e fortë se çdo pengesë.

Sfidanti.al