Konte kërkon maksimumin, por përse Marota dyshon tek Interi?!

Trajneri i ka bërë thirrje skuadrës që të mbahet fort edhe disa ditë, deri në pushimin e janarit. Objektivi i Interit mbetet titulli, e çfarë tjetër mund të pretendohet, dhe Antonio Konte arsyeton se duhet marrë maksimumi i pikëve deri në fund të dhjetorit, e pastaj të forcohet skuadra në janar, për të përballuar fazën e dytë. “Kemi edhe 4 ndeshje të rëndësishme, – shprehet ai, – duhet të shtrëngojmë dhëmbët dhe grushtet. Të durojmë deri në pushim, pastaj do të mund të rikuperojmë lojtarë të dëmtuar dhe do të shlodhemi”.

Gjithsesi, Bepe Marota, drejtori sportiv i Interit, sikur nuk ka besimin e Kontes. “Përsa i përket titullit, mendoj se Juventusi do t’ia dalë edhe këtë herë, – shprehet ai, – jemi vetëm në javën e 14-të, kampionati është i gjatë dhe do të jetë e vështirë të fitohet këtë vit. Juventusi ka në dispozicion dy skuadra shumë të forta”. Natyrisht, kjo diferencë në opinion nuk do të thotë “konflikt” Konte-Marota. As drejtori sportiv nuk është larg ëndrrës për të fituar Serinë A.

Sfidanti.al