Konte: Isha trajner që 14 vjeç, linda me top që në barkun e nënës!

Ai u lind në vendin e ullinjve, verës së mirë, punishteve të qeramikës dhe guroreve. Po ashtu, edhe në qytetin e 9 kishave, ndërtuar qindra vjet më parë. Gjithsesi, një puljez i lindur në Leçe mund të merrej edhe me futbollin dhe Antonio Konte bëri pikërisht këtë. “Kam lindur me topin e futbollit që në barkun e nënës, – thotë ai duke qeshur, ndërsa intervistohet për jetën dhe karrierën e tij, – nuk mund ta kaloja dot një ditë pa futbollin, ndërsa trajner kam qenë që 14 vjeç”. Pra, ende pa luajtur në Serinë A, ende pa shkuar tek Juventusi i madh.

Tashmë, Konte është trajner “prej vërteti” dhe ndodhet në Londër, ku është mbytur nga kritika për fillimin e dobët të kampionatit. Gjithsesi, gjëja me më shumë kuptim në jetë është të lavdërosh dikë që për momentin është keq, por që është një fitues i lindur. Jo për të qenë “kondrapedal”, por për hir të koherencës dhe logjikës së gjërave.

“Ndonjëherë e urrej punën time, – thotë Konte, – kjo sepse që të jesh fitues në këtë profesion, duhet të humbësh jetën. Punoj deri 18 orë në ditë, duke i hequr vetes shumë kënaqësi të tjera, në radhë të parë atë të familjes. Kjo më bën ta dashuroj dhe ta urrej futbollin”. Konte fitoi Premier Ligën me Çelsin sezonin e kaluar dhe arriti finalen e Kupës, por këtë sezon nuk arriti të merrte përforcimet e duhura dhe kjo po ndihet fort. Italiani shpreson të fitojë Championsin, meqë liga angleze duket jashtë mundësive.

Sfidanti.al