Konte gati për “rokadën”, italiani nuk pranon disfatën me Lukakun!

Antonio Konte është një luftëtar, dhe një i tillë nuk e pranon kurrë disfatën, edhe pse e pranon se mund të humbasë. Edhe trajneri i Çelsit nuk besohet se do të tronditet më shumë sesa duhet për dështimin që pati në marrjen e Romelu Lukakut, që zgjodhi Mançester Junajtidin.

Italiani ka në mendje menjëherë kundërgoditjen, afrimin e një sulmuesi po aq të famshëm sa belgu, ndoshta edhe më shumë. Është Alvaro Morata i piketuari i radhës dhe nuk besohet se Konte do të gabojë. As nuk mund t’ia lejojë vetes me këtë që ndodhi, ndonëse do të duhet të paguajë padyshim të paktën 70 milionë euro për kartonin e tij.

Morata, ndërkaq, po kalon ditët e fundit të pushimeve së bashku me gruan e tij të re, modelen italiane Aliçe Kampelo (në foto). Edhe sulmuesi spanjoll dëshiron që e ardhmja e tij të qartësohet, ndërsa mediat shkruajnë se ka mbetur shumë i hatërmbetur me Murinjon dhe Junajtidin, po ashtu si presidenti i Realit, Florentino Perez.

Sfidanti.al