Konte bëhet llogaritar: 31 pikë në 12 ndeshje, përmbysjet i kemi “xhan”

Vuajtja për të duhet të ketë qenë e madhe sa më s’bëhet. Nuk është aspak natyrë e qetë Antonio Konte, përkundrazi, një lloj “Jurgen Klopi” i Serisë A, madje me shumë më tepër stres e zemërim, dhe me më pak humor e buzëqeshje sesa gjermani i Liverpulit. i provoi të gjitha edhe ndaj Veronës, veçse në sensin e kundërt në krahasim me mbrëmjen e mallkuar në Dortmund. Interi këtë herë provoi përmbysje, por me fitore, duke mundur 2-1 Veronën në “San Siro”.

“Ishte ndeshja e 7-të në 20 ditë dhe përmbysëm rezultatin me personalitet dhe me ritëm të lartë, – deklaroi trajneri më pas, – në ndërprerjen e kampionatit arrijmë me entuziazëm të madh. Të kesh 31 pikë pas 12 javëve, me kaq pak kohë që punojmë ne, është diçka e jashtëzakonshme, më shumë sesa në ëndrrat më të bukura. Dua të falenderoj lojtarët, pasi është meritë e tyre”. Interi ia doli pasi pësoi gol në kundërsulm. Valerio Verre shënoi nga pika e bardhë e penalltisë. Pas pushimit ishte rrethim në portën e Veronës, dhe dy gola shënuar nga Matias Vesino në 65’ dhe Nikolo Barela në 83’.

Sfidanti.al