Kombëtarja “pa dhëmbë” në Lituani, raste plot, por gola “hiç”!

Kur e ndryshon shpesh “lëkurën”, natyrisht e ke të vështirë të krijosh një identitet të plotë dhe të arrish fitoret. Natyrisht, nuk mund të thuhet se Shqipëria mund të mos fitonte në Vilnius ndaj Lituanisë, përkundrazi duhej të merrte tri pikët, por rastet që pati i humbi. Patën edhe vendasit, por më pak sesa ekipi i trajnerit Edi Reja, që ushtroi më shumë presion dhe u duk krejt tjetër në krahasim me atë që humbi në “Arenën Air Albania” ndaj të njëjtit kundërshtar.

Seferi ishte humbësi kryesor i rasteve, por gjithashtu edhe Trashi pati mundësi ashtu si Laçi, ndërsa u kërkua me të drejtë një penallti që nuk dha në pjesën e parë. Shqipëria gjuajti më shumë në drejtim të kuadratit si dhe 4 goditje i pati në portë ndaj vetëm një të Lituanisë, por duket se ndryshimet në formacion dhe përvoja e paktë e lojtarëve ndikuan. Këtë herë në fushë u kthye Lenjani, ndërsa ishte që nga minuta e parë edhe Seferi, ndërsa Manaj e Trashi e nisën nga stoli.

Barazimi 0-0 do të thotë se Shqipëria ka 3 ndeshje që nuk shënon, ndërsa ka marrë 2 pikë në dy sfidat e fundit në grup, duke pasur tani 5 pikë, po aq sa Lituania. Dy ndeshjet e fundit i kemi në shtëpi, në 15 nëntor ndaj Kazakistanit dhe në 18 kundër Bjellorusisë.

Shqipëria: Berisha, Kumbulla (Mihaj 58’), Dermaku, Gjimshiti, Veseli, Lenjani (Trashi 46’), Laçi (Çekiçi), Bare, Abrashi, Seferi (Manaj 78’), Broja (Vrioni 58’). Tr. Reja

Sfidanti.al