Kohë reflektimesh për Mbapenë, kohë kursimesh për Realin

Në “Santiago Bernabeu” janë bërë si Harpagoni, po numërojnë çdo euro që hyn në arkë, dhe nuk duan që ajo të dalë. Llogari të shumta po bën presidenti Florentino Perez me bashkëpunëtorët e tij, me synimin e madh për të mbledhur paratë për Kilian Mbapenë, galaktikun e radhës, më të madhin që nga transferimi i Kristiano Ronaldos në 2009. Për fat të keq kohët nuk janë aq të lumtura dhe Madridi ka pësuar humbje ndonëse mediat e kryeqytetit shkruajnë se Reali ka mbledhur 102 milionë euro këto kohë për t’i pasur mënjanë për kartonin e Mbapesë.

Do të duhen më shumë, veçse shpresohet që të kursehet edhe më shumë me uljen e rrogave të lojtarëve dhe me largimin e disave prej tyre. Llogari më vete ajo e rinovimit të kapitenit Sergio Ramos, i cili gjithashtu do të shtonte shpenzimet, ndonëse edhe largimi i tij do të kërkonte një zëvendësues të nivelit (Alaba?). Sa për Mbapenë, ai ende nuk është i vendosur apo ndoshta edhe është por nuk dëshiron ta tregojë. “Nuk do të firmos tani, – u shpreh kampioni i botës, – nëse do të firmosja, do ta bëja për të qendruar, por është një vendim shumë i rëndësishëm. Më duhet të reflektoj”.

Sfidanti.al