Klubet gjermane nuk “i flakën” punonjësit, në Angli i nxjerrin në asistencë!

Vite më parë bëhej një krahasim mes mënyrës sesi funksionojnë gjërat tek Bajerni i Mynihut dhe, sesi shkon puna, le të themi, tek Mançester Junajtidi. Që të dy klube të mëdhenj, nga më të shkëlqyerit në botës, por ndryshimi është i madh tek trajtimi i legjendave. Nëse Bajerni e ndihmoi Gerd Mylerin në momentet e tij më të vështira, Junajtidi nuk e bëri këtë me Xhorxh Bestin, që përfundoi keq.

E njëjta gjë po ndodh tani, me klubet gjermane që menjëherë morën masa për të ulur rrogat e yjeve të futbollit, në mënyrë që të përballonin pagesat e punonjësve të thjeshtë, ndërsa e kundërta ngjan në Angli. Bajerni ka gati 1 000 punonjës në borderonë e tij, dhe kapiteni Manuel Nojer foli me krenari se ata nuk do të dilnin në asistencë. E njëjta gjë për Dortmundin dhe të tjerët. Në Angli, ndërkaq, Liverpuli iu bashkua nismës së turpshme për të nxjerrë punonjësit në asistencë, diçka që përpara tij e bënë Totenhemi, Njukasëlli, Bornmuthi dhe Noruiçi.

Natyrisht, punonjësit në asistencë do të vazhdojnë të marrin rrogat, 80 për qind nga shteti dhe 20 për qind nga klubi, veçse nëse shefat ekzekutivë si Daniel Levi (presidenti i Totenhemit) që merr 7 milionë paundë stërlina në vit, dhe yjet e stërpaguar, do të pranonin ulje rrogash, nuk do të ishte e nevojshme që të përdoreshin paratë e taksapaguesve të thjeshtë britanikë për të mbajtur në asistencë punonjësit e klubeve. Duket se kjo lloj ndjeshmërie nuk ekziston në Angli.

Tek Bajerni, sapo u mor vesh se Gerd Myleri ishte bërë alkoolist, Uli Hënesi i ofroi menjëherë ndihmë duke i thënë se “dera e Bajernit është gjithnjë e hapur”. Më pas, bavarezët e ndihmuan legjendën e tyre që të shkonte në klinikë dealkoolizimi, dhe pasi doli nga klinika, i afruan punë në klub, në mënyrë që ai të mos binte më pre e veseve. Xhorxh Besti, ndërkaq, një legjendë e “djajve të kuq”, pati probleme gjithashtu me alkoolin, por atij nuk iu ofrua ndihmë.

Sfidanti.al