Klopi ende nuk e beson që Liverpuli e arriti fitoren e rekordeve!

Duhen edhe 12 pikë në 11 ndeshjet e mbetura që të shpallet kampion, ndërsa nëse vazhdon me këtë ritëm, titulli do të fitohet që në 20 mars ndaj Kristël Palasit. Gjithsesi, trajneri Jurgen Klop nuk arrinte ta besonte që skuadra e tij ia kishte dalë sërish, sidomos me një fitore kaq të vështirë si ajo 3-2 ndaj Uest Hemit në “Anfild”.

“Kurrë nuk mendoja se mund ta barazoja apo ta thyeja (rekordin e Mançester Sitit), – u shpreh Klopi, ndërsa Liverpuli arriti rekordin e ekipit të Guardiolës me 18 fitore radhazi në Premier, – ne ia dolëm, por ndershmërisht unë nuk besoja që të ndodhte. Sidoqoftë, gjithçka që po bëjmë këtë sezon, është meritë kolektive”.

Liverpuli ka tani 18 suksese radhazi në Premier, si Siti i Guardiolës në 2017-2018, dhe po ashtu ka barazuar rekordin e kampionatit anglez të fitoreve radhazi në shtëpi, që është 21. Këtë rekord e ka vendosur në 1972 një tjetër Liverpul i madh, ai i drejtuar nga Bill Shenkli. “Ne kemi thënë se duam të shkruajmë historinë tonë, – u shpreh Klopi, – dhe lojtarët e kanë marrë seriozisht këtë gjë. Ju e patë sesa e vështirë ishte, na u desh të reagonim, ndërsa tani duhet të jemi gati për Uatfordin të shtunën”.

Vajnaldum shënoi golin e parë për Liverpulin, por Isa Diop barazoi për Uest Hemin. Pas pushimit, Fornals kaloi “çekiçët” në epërsi, dhe u deshën golat e Mohamed Salahut (64’) dhe Sadio Manesë (81’) që të kuqtë të fitonin. Kryesuesit kanë 79 pikë në 27 ndeshje, me 26 fitore e një barazim.

Sfidanti.al