Kilian Mbape ka një “hall milioner”, por nuk bën dot pa të!

Kjo botë dhe kjo racë njerëzore, që ka ecur kaq shumë përpara në diturinë, shkencën dhe ekonominë e saj, ka mbetur po ajo në një aspekt tjetër, në hipokrizinë. Dikur kishte njerëz të lirë që derdhnin lotë krokodili për skllavin apo bujkrobin, në kohët moderne ka njerëz me kostum, frak e papijon, që qajnë për të vobektin që nuk kënaq dot fëmijën, por ka edhe futbollistë profesionistë që bëjnë moral mbi paranë.

I fundit ndër ta, Kilian Mbape, që siç duket mezi kishte pritur të mbushte moshën 19-vjeçare për t’u quajtur vërtet i rritur e i pjekur, që të mund t’i merrej seriozisht fjala. “Paraja që qarkullon në futboll është e tepruar, – janë fjalët e yllit të Paris SG, që fiton 17 apo 18 milionë euro në sezon, – është krejt e padenjë për mua, që vij nga një familje tepër modeste. E vërtetë, por tregu është i tillë, kështu e ka bota e futbollit”.

Natyrisht, Mbapeja nuk mundet ta ndryshojë i vetëm botën, kjo është e qartë, por është po kaq e qartë se ai mund të mendonte diçka për ta ndryshuar, le të ishte ky fillimi i një fillimi. Thellë, në vetvete, 19-vjeçari që është shkëputur me vite drite larg nga familja e tij, dhe miliona familje si e tija, nuk ka asnjë dëshirë të humbasë asnjë cent nga pasuria që fiton çdo muaj e çdo vit.

Hallin e tij milioner, që ai dëshiron ta ketë gjithnjë me vete, e ka “shëruar” pjesërisht dhe do ta shërojë edhe më shumë në të ardhmen, shteti social francez, që njerëzve si Mbape i ka marrë deri 75 për qind të parave, për t’i investuar në arsim publik, shëndetësi publike, transport publik, dhe të tjera të mira publike.

Sfidanti.al