Këto ndeshje të japin titullin, thotë Suarezi, por Barcelona shqetëson

Fitorja nuk ishte e lehtë, madje ishte nga ato me “shpirt në dhëmbë”, por ishte sërish një sukses. “Janë këto fitore që të japin titullin”, – ishin fjalët e qarta të Luis Suarezit, pasi Barcelona kaloi fitimtare në fushën e Getafes me shifrat 2-1.

“Goditje për Ligën”, titulloi gazeta “Marka”, dhe me të drejtë pasi katalanasit janë tani 5 pikë para Atletikos, 7 pikë para Seviljes dhe 10 pikë larg Realit që u mund nga Sociedadi. Më herët, Sevilja dhe Atletiko e Madridit u ndanë në barazim 1-1.

Lionel Mesi shënoi golin numër 399 për Barçën, ndërsa për të katërtin vit me radhë, është ai njeriu që realizon rrjetën e parë të vitit të skuadrës “blaugrana”. Seria ka nisur në 2016, dhe sërish vazhdon. Luis Suarez ishte autor i golit të dytë, por Mata shkurtoi diferencën për Getafen në fund të pjesës së parë, ndërsa në të dytën, kampionët vuajtën jo pak.

Edhe gazeta “AS” shkruajti se “Barça i dha një goditje ligës”, ndonëse theksoi se Getafes iu anulua pa të drejtë një gol, kur ndeshja ishte 0-0. Gjithsesi, “Marka” nuk harron të shtojë se “Barcelona është në formatin e duhur për La Ligën, por jo për Championsin”. Përse?

“Është e njëjta sëmundje për skuadrën e Valverdes, – shkruan gazeta, – ka pasur ndeshje që i ka humbur duke luajtur kështu, realizoi një përmbysje-mrekulli ndaj Vajekanos, dhe po ashtu u mbajt në Getafe, por kjo Barcelonë nuk di të vrasë ndeshjet, dhe kalon momente vuajtjesh shqetësuese. Ky luks nuk mund të lejohet në Champions, pasi të gjithë e kujtojnë shembullin e vjetshëm me Romën”.

Sfidanti.al