Kemi një ëndërr tjetër për Europianin, por sërish me “miell të huaj”!

Disa vite më parë diskutimi ishte i madh, se përse kombëtarja e Shqipërisë kishte në shumicë lojtarë të formuar jashtë, dhe fare pak nga ata të Superligës. Pavarësisht nëse ata ishin me origjinë nga Kosova apo Shqipëria, sërish të besuarit e Xhani De Biazit që shkuan në Euro 2016, pasaportën e parë e kishin të huaj. Zvicerane, franceze, italiane apo greke.

Kanë kaluar pak vjet, në stol është Kristian Panuçi dhe ne kemi sërish një ëndërr europiane, por historia e pasaportave nuk ka ndryshuar kushedi se çfarë. Ndërsa, Armand Duka, presidenti i FSHF-së, mbajti dje konferencën-analizë për kombëtaren, për fat të keq, nuk është se u pyet për këtë!

Çfarë po ndodh realisht në futbollin shqiptar? Nja dy a tri ditë më parë, isha në një kafe me një prind, fëmija e të cilit, kërkon të bëhet futbollist. Djali, që sot është 15 vjeç, ka lëvizur pa fund, nga “Ali Demi”, tek “Akademia”, tek Partizani, sërish tek një nga ish-klubet, dhe nuk ka gjetur “rehat”. Përse? Kudo e njëjta histori, me trajnerë që pranojnë “shukun” e parave, dhe që i hanë hakun më të mirëve.

Besoj, ju kujtohet intervista e atij lojtarit të Laçit, që i shënoi gol Partizanit në javën e parë të Superligës, Kallakut. “Tek Partizani nuk dinë të mbajnë talentet”, – tha ai. Të gjitha këto ndodhin në klube që në shumicë janë privatë, dhe që kanë në krye presidentë që shpenzojnë paratë e tyre (të paktën, kështu thuhet). Edhe pse “shtëpia” ka gjetur “zot”, sërish padrejtësitë vazhdojnë. Të mos flasim për gjendjen skandaloze të terreneve dhe për faktin se fëmijët duhet të shpenzojnë 1 orë për të shkuar në Kamzë apo Pezë-Helmës për t’u stërvitur. Si thoni, me këtë gjendje do të kemi një kombëtare që të na çojë në Europian?

Sfidanti.al