“Karuseli” i Barçës, 12 lojtarë në vitrinë ku luhen 400 milionë euro!

Nuk besohet se ka pasur klub në Europë, këto dekada, që të ketë mbërritur në këtë pikë ku është ai katalanas. Pas humbjes së kampionatit, pas problemeve të brendshme,dhe pas krizës së koronavirusit, Barcelona duket në një udhëkryq, në të cilin nuk po di nga të shkojë. Mediat europiane shkruajnë se drejtuesit mendojnë se deri në 12 lojtarë mund të largohen, por kjo duket punë kaq e vështirë, saqë zor që të ndodhë. Flitet për një xhiro totale prej 400 milionë eurosh, që sot mund të shihen vetëm në ëndërr. Neto, portieri i dytë, u mor 24 milionë euro, dhe tani mund të ikë, por problemi është se Ter Shtegen nuk po rinovon.

Semedo pëlqehet, por Barça shpreson të marrë 2 lojtarë në shkëmbim. Samuel Ymtiti është një mbrojtës shumë i mirë e kampion bote, por ka pasur shumë dëmtime. Todibo është 20 vjeç, Barça do 25 milionë euro për kartonin dhe nuk dihet nëse mund të jepen. , Zhunior Firpo kërkohet të transferohet për 20 milionë euro, Arturo Vidal u pagua 18 milionë euro tek Bajerni, dhe nuk dihet nëse sot dikush mund t’i japë këto para. Për më tepër, Mesi e pëlqen. Ivan Rakitiç është 32 vjeç e mund të largohet. Në listë edhe Karles Alena, Rafinja Alkantara (mund të fitohen 10 milionë euro prej tij) si dhe Brejthuejt (18 milionë euro). Dembele e Kutinjo janë rastet më të vështira, pasi i pari kushtoi gati 130 milionë euro dhe askush nuk jep kaq para, ndërsa Kutinjo u mor 160 milionë euro, Bajernit iu kërkuan 120 milionë, por nuk deshi t’i paguante.

Sfidanti.al