Juventusi po e vuan më shumë koronavirusin e Kristiano Ronaldos

Një përplasje e ashpër po ndodh mes qeverisë italiane dhe kampiones së vendit në futboll, pas daljes pozitiv me Kovid 19 të CR7-ës. Ministri i Sportit, Spadafora, është shprehur se Kristiano Ronaldo e ka shkelur protokollin e sigurisë për virusin duke u larguar për në kombëtaren portugeze. “Mendoj që po, e ka shkelur protokollin duke shkuar në Portugali, – tha ai, – jo vetëm kaq, por ka bërë gabim që ka udhëtuar për në Itali menjëherë pasi ka dalë pozitiv”. Juventusi u përgjigj me anë të presidentit Anjeli, që u shpreh se “nuk duhet ta kërkoni nga unë përgjigjen se përse ndodhi kështu me CR7-ën, pyesni ministrin e brendshëm dhe të shëndetësisë se çfarë ka shkelur, duket sikur të gjithë mezi presin që ne të humbasim”. Spadafora nuk ngurroi që të përgjigjej sërish. “Historinë e shkeljes së izolimit e nxorri vetë Juventusi, – tha ai, – duke thënë se disa lojtarë u larguan pa autorizim”. Mediat italiane shkruajnë se vetë klubi nuk rrezikon gjë, ndërsa lojtarët mund të gjobiten.

Sfidanti.al