Juventusi mund të jetë gati, por a pranon Ronaldo kthim tek Reali?!

Si i thonë fjalës, ndoshta “po i bëjnë hesapet pa hanxhinë”, ose “pa të zotin e punës”. Mediat në Europë u bënë copë këto orë duke lajmëruar një rikthim sensacional të Kristiano Ronaldos tek Reali i Madridit, duke theksuar nevojën e Juventusit për të ardhura financiare, por cila është dëshira e vetë yllit portugez? A mund të pranojë ai që të kthehet në klubin nga ku u largua me pezm, besohet për mosplotësimin e dëshirës së tij që të kishte rrogë të paktën të barabartë me Lionel Mesin, pse jo edhe më të lartë?

Gjithçka mund të ndodhë në futboll, pasi ka edhe çështje interesash, por sado “skllevër modernë” që të quhen futbollistët, sërish ata e kanë aq në dorë fatin e tyre, që të mos bëjnë diçka plotësisht kundër dëshirës. Aq më tepër kur flitet për CR7-ën, një nga dy yjet më të mëdhenj të futbollit në 15-20 vitet e fundit, pse jo edhe për të gjitha kohët. Nëse do të ndodhte largimi nga Juventusi, Ronaldo mund të zgjidhte një ekip tjetër, ndërsa tek Reali nuk dëshiron të kthehet edhe për sedër, por edhe sepse trajneri Zidan po ndërton një ekip me moshë më të re, dhe konkurrenca do të ishte padyshim tepër e lartë për 35-vjeçarin nga Portugalia.

Sfidanti.al