Juventus-Ronaldo, një model biznesi që nuk kuptohet pa superyllin portugez!

Kur mbërriti ishte një investim i jashtëzakonshëm dhe afatgjatë. Kristiano Ronaldo kushtoi “qimet e kokës” për Juventusin, me 100 milionë euro për kartonin, 12 milionë euro komisione si dhe mbi 30 milionë euro rrogë neto, por parashikimi ishte se ia vlente.

Më shumë se gjithçka tjetër, kjo ishte arsyeja e tronditjes që u krijua kur superylli doli me protestë nga fusha, dhe iku furishëm nga stadiumi pa u mbyllur ndeshja, ndëras trajneri Mauricio Sarri e zëvendësoi shpejt në duelin ndaj Milanit.

Me gjasë, drejtuesit piemontezë do t’ia kujtojnë këtë gjë Sarrit, në mënyrë që ai ta trajtojë me më shumë kujdes CR7-ën, dhe jo thjesht në aspektin sportiv. Është e pamundur që Juventusi të bëjë pa Kristianon, si kompani biznesi, madje kjo ishte arsyeja kryesore që e mori nga Reali në moshën 33-vjeçare.

Në vetëm 1 sezon ndikimi i tij është i fuqishëm me 55 milionë euro të ardhura më shumë, madje pritet që në harkun e 3 viteve shifra të jetë shumë më e lartë. Buxheti ka arritur në mbi 600 milionë euro, dhe synimi është për t’iu afruar gjigandëve si Reali, Barcelona apo Mançester Junajtid.

Pavarësisht kostos së blerjes së kartonit dhe rrogës stratosferike, falë CR7-ës Juventusi ka imazh shumë më global, të ardhura më të mëdha nga e drejta televizive, biletat, shitja e fanelave dhe suvenireve, si dhe kontrata më fitimprurëse nga sponsorë si Adidas apo Xhip. Adidasi, sa për shembull, e shtoi kontratën fikse nga 23 në 51 milionë euro, ndërsa Xhip garanton nga 17 deri në 42 milionë euro në sezon, në pritje të akordit të ri. Jo vetëm kaq, por FIAT-i dhe Ferrari kanë projekte të mëdha me Ronaldon.

Vetë portugezi reagoi në kohë duke qetësuar situatën. Pavarësisht nga zemërimi i momentit dhe fluturimi drejt vendlindjes, ai i dha fund polemikave, nëpërmjet një mesazhi në rrjetet sociale. “Ndeshje e vështirë, fitore e rëndësishme, të luftojmë deri në fund”, – shkruajri ai në Instagram. Tashmë, shpresohet që forma fizike e Ronaldos të përmirësohet dhe ai të vazhdojë të jetë superyll edhe në fushën e lojës.

Sfidanti.al