Juventus, nuk merr fund mallkimi i Ligës së Kampionëve!

Nuk po flasim thjesht për finalet e humbura, edhe pse janë shumë. Historia e tyre nisi në 1973 (disfatë pikërisht nga Ajaksi), vazhdoi në 1983, pastaj në 1997 e 1998, për të shkuar në 2003, 2015 e 2017. Plot 7 finale me dështime nga 9 gjithsej, por gjashtë vitet e fundit zhgënjimet kanë qenë edhe më të mëdha.

Në 2012-2013, një Juve e sapokthyer kampione në Itali dhe në Champions, u eleminua në të tetat e finaleve nga Bajerni (i Manxhukiçit) me dy humbje identike, 0-2 në Mynih e Torino. Një vit më vonë, nuk doli dot as nga grupi, eleminuar nga Gallatasaraji (dhe Reali) pas humbjes në Stamboll me golin e Uesli Sneijderit.

Në 2014-2015 u duk sezoni i duhur, me eleminimin e Realit në gjysmëfinale, dhe me lojtarë si Pirlo, Tevez, Pogba apo Morata, përveç të zakonshmëve Bufon, Bonuçi e Kielini. Finalja, sidoqoftë, u luajt në Berlin përballë “alienëve” të Barcelonës me treshen MSN (Mesi, Suarez, Nejmar), dhe u humb 1-3.

Në 2015-2016, ishte sërish Bajerni fatal, këtë herë vetëm pas kohës shtesë. Barazim 2-2 në Torino, duke qenë në humbje 0-2, dhe epërsi 2-0 në Mynih që në minutat e para. Por, bavarezët nuk u dorëzuan dhe nisën përmbysjen me Levandovskin e Tomas Mylerin, për ta kompletuar në kohën shtesë, me fitoren 4-2.

Në 2016-2017 u arrit finalja e dytë, ajo e Kardifit ndaj Realit, ndërsa u eleminua Barcelona në çerekfinale (3-0, 0-0). Gjithsesi, Ronaldo, Bejl, Benzema, Modriç, Kros, Kasemiro, Ramos, Asensio e Marselo ishin tepër të fortë dhe fituan 4-1. Në 2017-2018, pas eleminimit të Totenhemit, Juvja u mund 0-3 në Torino nga Reali, por thuajse u kualifikua në “Santiago Bernabeu” duke fituar 3-0 deri në sekondat e fundit, kur Ronaldo shënoi me penallti. Këtë vit, fatal u bë Ajaksi.

Sfidanti.al