Jehona për Gjermaninë: Bredhin 21 burra pas topit, në fund fiton …!

Gjithçka në fund ishte e merituar. Gjermania fitoi dhe gjithë bota nuk reshti së thëni “ju lumtë” futbollistëve kampionë të botës. Jehona mediatike ishte e fuqishme.

“L’Ekip” nga Franca: Goditja e mjeshtrit! Italiania “Il Korriere delo Sport”: Nuk dorëzohen kurrë! “Marka” nga Madridi: Kros ringjall Gjermaninë! Anglezja “Deili Meil” aludon për shprehjen e Linekerit dhe i bën jehonë reagimeve në rrjetet sociale: 21 burra vrapojnë pas topit dhe në fund fitojnë gjermanët. Tuiteri reagon ndërsa Gjermania mban gjallë shpresat në Kupën e Botës!

Çuditërisht, reagimet më të qeta i patën vetë gjermanët. “Kiker”: Një fitore me dy gola, diferencë e drejtë! “Bild” tallet dhe informon: Zv. kryetari i Partisë Socialdemokrate këshilloi Lëvin që ta zëvendësonte Krosin! Rojsi i tha diçka Krosit spërpara golit të madh!

Trajneri Joakim Lëv, po ashtu ishte i qetë dhe analitik. “Ishte një ndeshje shumë e vështirë, dhe nuk e patëm të lehtë të thyenim mbrojtjen e fortë të Suedisë,- u shpreh ai, – Në pushim u thashë lojtarëve të ruanin qetësinë dhe jam shumë i lumtur që ata e bënë këtë gjë. Nuk luajtën me topa të gjatë, por me pasime të shkurtëra për të lodhur suedezët dhe për të krijuar hapësira. Në pjesën e dytë, ne  shtuam presionin, dhe krijuam shumë raste. Patëm edhe fat, por e merituam”.

Lojtari më i mirë i ndeshjes për FIFA-n, Toni Kros, tregoi bisedën me Toni Krosin para golit. “Në momentin e goditjes së dënimit, folëm me Krosin, – rrëfeu Rojsi, – Unë doja që të gjuanim direkt në portë, por ai nuk ishte i bindur, dhe kishte të drejtë, pasi ishte shumë anash portës. Atëherë vendosëm ta zhvendosnim topin për të pasur një kënd më të mirë për portën. Me të vërtetë, Toni nuk e gjuajti aq keq atë top”.

Tifozët gjermanë në Berlin, Rusi e kudoqoftë u hodhën përpjetë si të çmendur. Edhe një herë tjetër mrekullia ndodhi, dhe besimi i tyre është që Gjermania do t’i lumturojë me një tjetër titull botëror.

Sfidanti.al