Inter nuk mund dot “Zonjën”, Championsi në rrezik

Tifozët kishin të drejtë për protestat e tyre, ndërsa po përfundon një tjetër sezon “i stuhishëm”. Interi nuk mori dot më shumë se një barazim 1-1 ndaj Juventusit në “San Siro”, duke u konfirmuar si jo në nivelin më të lartë të Serisë A, e duke rrezikuar jo pak Championsin. Me 62 pikë në 34 ndeshje, zikaltërit kanë Romën vetëm 4 pikë prapa, ndërsa Milani e Atalanta mund të afrohen edhe më shumë me ndeshjet që nuk i kanë luajtur ende.

Ndryshe nga sa ishte lajmëruar, Spaleti hodhi në fushë Mauro Ikardin, duke lënë në stol Lautaro Martinezin. Juventusi nga ana tjetër, pati forca për të hedhur në fushë një skuadër të fortë, pavarësisht mungesave, me Ronaldon, Bernardeskin, Matyidinë, Pjaniçin, Emre Xhanin, Kuadradon, Aleks Sandron, Kielinin, Bonuçin, Kanselon si dhe portierin Shezni.

Raxha Naingolan shënoi për interistët shumë shpejt, me një goditje të shkëlqyer nga 25 metra larg, por kjo nuk mjaftoi për fitoren. Kristiano Ronaldo barazoi në minutën e 62-të, me golin e tij të 20-të në Serinë A. Portugezi ishte edhe lojtari më i mirë në fushë. Vendasit ishin më lart në pjesën e parë, ndërsa kampionët u përmirësuan shumë pas pushimit, aq sa edhe mund të kishin fituar. Kjo natyrisht nuk u prishi asnjë punë, pasi me 88 pikë, kanë distancë të jashtëzakonshme nga Napoli që ka 67.

Sfidanti.al