Iniesta në Kinë do të luajë futboll apo do të shesë verërat e veta?

Andres Iniesta po i jep fund karrierës së tij të gjatë në “Kamp Nou” dhe është pothuajse e sigurt se, që nga sezoni i ardhshëm, ai do të luajë në një klub kinez. Të paktën, kështu shkruajnë disa mediume spanjollë, sipas të cilëve, ky mesfushor legjendar i shkëlqyer 34-vjeçar do të largohet nga Barcelona me titullin e kampionit të La Ligës, por me shijen e keqe të eliminimit brutal nga Champions-i nga Roma në “Olimpiko”.

Sidoqoftë, largimi do t’i sjellë atij para të mëdha që, zakonisht, u japin klubet kineze yjeve të Evropës, por, megjithatë, ai ka edhe një arsye tjetër që, gjithashtu, lidhet me paratë.

Thuhet se një nga arsyet kryesore se përse Iniesta po shkon në Lindjen e Largme është fabrika e tij e verës që, prej rreth dy vitesh, ka nisur të eksportojë verë në Kinë, kështu që vajtja e tij në këtë vend do të mund t’ia hapë më shumë “derën” verës së fabrikës “Bodega Iniesta” së tij. Sipas medias spanjolle, klubi, me të cilin do të luajë Iniesta dhe emri i të cilit, tani për tani, mbahet sekret, ka marrë përsipër që ta shesë verën e tij gjatë 10 viteve të ardhshme në Kinë! Duket qartë se bëhet fjalë për para të mëdha, veç atyre që do t’i sjellë atij kontrata trevjeçare, shto këtu kampet e fëmijëve të futbollit dhe veprimtari të tjera komerciale, në të cilat do të angazhohet Iniesta. Me të vërtetë, bëhet fjalë për para të mëdha.

Sfidanti.al