Ikën edhe Laçi, Shqipëria europiane e klubeve nuk është më!

“Do ta kërkoni Vlorën, admiral, por nuk keni për ta gjetur”, ishin fjalët e gjeneralit Zheleznjov në filmin “Ballë për ballë”. Në futbollin shqiptar të klubeve duhet të thuhet se “do ta kërkoni Skënderbeun, por nuk do ta gjeni më”.

Eleminimi i sotëm i Laçit nga Liga e Europës, pas atij të Kukësit një ditë më parë në Champions (po ashtu edhe disfatat “dinjitoze” të Partizanit, e të turpshme të Luftëtarit), bëjnë që të mos ketë asnjë skuadër kuqezi në kompeticionet kontinentale.

Mbetet Shkëndija e Tetovës (e Maqedonisë) që e eleminoi Sherifin e Tiraspolit dhe që në raundin e tretë eleminator të Championsit do të përpiqet të bëjë mrekullinë e radhës ndaj Red Bullit të Salcburgut të Austrisë.

Skënderbeu mund të ketë bërë gjithë të zezat e kësaj bote, por gjithashtu klubi i presidentit Takaj dhe i trajnerëve Josa e Daja, bënte edhe mrekullitë europiane, duke u kualifikuar dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Europës, duke marrë pikë e duke u përballur si i barabartë në stinën e vjeshtës. Ky realitet nuk është më, dhe asnjë nga klubet e tjerë shqiptarë nuk e arrijnë dot nivelin profesional të korçarëve.

Për më tepër, nga Laçi (mundur sot 2-0 në fushën e tij nga Molde, pas disfatës 3-0 në Norvegji), u largua edhe trajneri Besnik Prenga. Nga Kukësi po ashtu ishte larguar më parë Peter Pakult, ndërsa Cungu nuk është çudi që të marrë ndonjë ultimatum. Kjo përkohshmëri totale, kjo paqendrueshmëri e plot shkatërron çdo shpresë se shpejt do të mund të kemi një tjetër Skënderbe.

Sfidanti.al