Ibrahimoviç, nga dëmtimi në Angli tek triumfi i dytë në Itali!

E kush do ta kishte menduar se do të ishte kthyer sërish në kulmet e tij? Edhe pse është 38 vjeç, e shpejt do të jetë 39, Zllatan Ibrahimoviç e ka fizikun dhe mentalitetin për të luajtur sërish në nivele të larta. Kur u dëmtua dy vjet më parë tek Mançester Junajtidi i Murinjos, u mendua se karriera po i afrohej fundit. Anglezët nuk i dhanë kontratë tjetër, dhe Ibra shkoi në SHBA ku shkëlqeu, por gjithsesi ishte në një ligë që quhet e dorës së dytë.

Suedezi me origjinë boshnjake e ndjeu se ishte në gjendje të bënte më shumë dhe pranoi ofertën për t’u kthyer tek Milani. Në Serinë A, që normalisht ka një ritëm më të ulët sesa Premier Liga angleze, u tregua sërish një sukses i madh, duke shënuar 8 gola në 17 ndeshje të kampionatit, e duke udhëhequr Milanin në 11 ndeshje pa humbje që nga rifillimi i sezonit (8 fitore, 3 barazime). Në “Marasi” ndaj Sampdorias shënoi dy gola e shërbeu një asist, ndërsa u bë i pari lojtar në historinë e Serisë A (me sistemin e tanishëm vajtje-ardhje) që shënon të paktën 50 gola edhe për Interin, edhe për Milanin. Në Serinë A ka 131 rrjeta, duke qenë në vend të 40-të të të gjitha kohëve. Ibra pohon se ndihet i ri dhe besohet se do të vazhdojë edhe sezonin tjetër me Milanin. Ai vlerëson lart trajnerin Pioli, dhe shokët e ekipit që sot janë më të pjekur se më parë.

Sfidanti.al