Ibrahimoviç gjigand, por Kumbulla ndalon që Roma të humbë me Milanin!

Një sulmues mund të shënojë dy gola, e sërish të jetë më i paktë se një mbrojtës që realizon një. Marash Kumbulla mund të thuhet se fitoi duelin me veten, së pari, por edhe me Zllatan Ibrahimoviçin, duke ndihmuar Romën që të merrte barazimin 3-3 në “San Siro” ndaj Interit. Dakord, mbrojtësi shqiptar gaboi në golin e parë shënuar nga Ibra, por edhe Zllatani gaboi në golin e tretë që u shënua nga Kumbulla në minutën e 84-ët. Ylli 20-vjeçar i Shqipërisë realizoi rrjetën e dytë në pak ditë pas asaj në Ligën e Europës në fushën e Jang Bojsit.

Përtej këtyre golave, derbi i javës në Serinë A ishte i barabartë, me të dyja skuadrat që krijuan raste, goditën edhe shtyllën, ndërsa patën secila nga një penallti të padrejtë, shënuar përkatësisht nga Veretur (Roma) dhe Ibra (Milan). Edin Xheko, në duelin e parë të dy boshnjakëve në karrierë (pasi edhe Zllatani është me origjinë nga vendi ballkanas), shënoi duke “falenderuar” gabimin e portierit milanist Tatarushanu. Rumuni luajti në vend të Donarumës që ishte me koronavirus. Me këtë barazim, Milani mban vendin e parë me 13 pikë ndaj 11 të Napolit e Sasuolos, ndërsa Interi ka 10. Roma është ende poshtë, në vend të 9-të me 8 pikë, por jo larg të parave.

Sfidanti.al