“I pangopuri” me rekorde, Mesi synon edhe 6 gjëra të pamundura

Objektivi i parë që vjen natyrshëm, është ai i trofeve me Barcelonën. Lionel Mesi ka fituar 33 tituj me katalanasit, pra me një klub të  vetëm, ndërsa i mbetet të kalojë edhe një legjendë për të qenë numri 1 në histori. Rajan Gigs ka fituar 36 kupa me Mançester Junajtidin, dhe argjentinasi mund ta arrijë që në fund të këtij sezoni, nëse Barça merr La Ligën, Championsin dhe Kupën e Mbretit. Një edicion më vonë, ai mund të jetë numri 1 i padiskutueshëm.

Synimi i dytë, është që të jetë lojtari me më shumë ndeshje për Barçën. Ai ka luajtur deri tani 657 takime, vetëm 18 më pak se Andres Iniesta, që mund të kalojë këtë vit, por për të kaluar Ksavin do të duhet më shumë. Ish-ylli katalanas ka 767 ndeshje me fanelën “blaugrana”.

Mesi ka fituar pesë Këpucë të Arta europiane, dhe do të synojë të fitojë të gjashtën, që do të ishte e treta radhazi. Asnjë lojtar në Europë nuk ia ka dalë. Për momentin, ai është golshënuesi më i mirë i kontinentit, dhe gjasat janë të mira që t’ia dalë.

Leo synon edhe Këpucën e Artë të radhës në Spanjë. Argjentinasi e ka fituar trofeun “Piçiçi” plot 6 herë, dhe shpresa është e madhe që t’ia dalë përsëri. Do të bëheshin 7 Këpucë të Arta në La Liga, baraz me legjendën Telmo Zarra.

Mesi ka objektiv edhe që të kalojë Iker Kasijasin si lojtarin me më shumë fitore në La Liga. Ish-portieri i Realit ka 334 të tilla, ndërsa Leo është vetëm 11 fitore larg. Së fundi, numri 10 katalanas është vetëm 3 gola larg kufirit të 400 rrjetave në kampionatin spanjoll. Deri tani ka shënuar 397, që të gjithë me Barcelonën.

Sfidanti.al